
Një raport i publikuar më 24 tetor ka tronditur opinionin publik dhe Vatikanin: rreth 4,400 persona janë abuzuar seksualisht nga priftërinjtë katolikë në Itali, në raste të regjistruara që prej vitit 2020. Të dhënat vijnë nga organizata ‘Rete L’Abuso’, grupi më i madh që përfaqëson viktimat e abuzimeve klerikale në vend.
Sipas agjencisë Reuters, shifrat janë përpiluar mbi bazën e dëshmive të viktimave, dokumenteve gjyqësore dhe raporteve mediatike. Themeluesi i grupit, Francesco Zanardi, deklaroi se shumë nga akuzat mund të shtrihen në vite më të hershme, pasi jo të gjitha rastet kanë një datë të saktë.
Ndërkohë, Konferenca Ipeshkvnore Italiane – e cila është kritikuar nga Komisioni i Vatikanit për Mbrojtjen e të Miturve për mungesë transparence – nuk ka dhënë ende asnjë koment mbi gjetjet e raportit.
Kisha Katolike prej dekadash është përfshirë në skandale të ngjashme në vende të ndryshme të botës, ndërsa autoritetet italiane janë akuzuar për mbulim të rasteve dhe mungesë përgjegjësie.
Papa Leoni XIV, i zgjedhur së fundmi, u takua për herë të parë këtë javë me të mbijetuar të abuzimit klerikal, duke u bërë thirrje peshkopëve “të mos fshehin asnjë akuzë për shkelje morale”. Paraardhësi i tij, Papa Françesku, e kishte shpallur luftën kundër abuzimeve si një nga prioritetet e papatit të tij 12-vjeçar, por rezultatet u vlerësuan si të pjesshme.
Në raportin e datës 16 tetor, Komisioni i Vatikanit raportoi se vetëm 81 nga 226 dioqeza italiane iu përgjigjën pyetësorit mbi masat e mbrojtjes së fëmijëve – një tregues i qartë i mungesës së angazhimit institucional.
Sipas ‘Rete L’Abuso’, janë regjistruar gjithsej 1,250 raste të dyshuara abuzimi, përfshirë 1,106 priftërinj katolikë, ndërsa pjesa tjetër përfshin murgesha, mësues fetarë, edukatorë dhe anëtarë të organizatave të skautizmit.
Në total, 4,625 persona konsiderohen viktima, prej të cilëve 4,395 janë abuzuar nga priftërinj. Mbi 4,400 prej tyre ishin nën 18 vjeç dhe shumica dërrmuese, 4,108, ishin djem.
Nga 1,106 priftërinjtë e dyshuar:
vetëm 76 u çuan në gjykata kishtare, 17 u pezulluan përkohësisht, 7 u transferuan në famulli të tjera, ndërsa 18 u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen. Raportohet gjithashtu se pesë prej tyre kanë kryer vetëvrasje.


