Prej disa ditësh, në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë zëra për një rikthim të mundshëm të shpejtë të Xheneta Fetahut në një tjetër format televiziv. Pas përfundimit të eksperiencës së saj si opinioniste në “Big Talk”, emri i saj po lidhet gjithnjë e më shumë me kastin e ri të reality show-t “Ferma VIP”.
Xheneta, e cila u bë e njohur për publikun gjatë pjesëmarrjes së saj në “Big Brother VIP Kosova”, duket se mund të rikthehet sërish në një format që premton vëmendje të madhe mediatike. Sipas aludimeve që po qarkullojnë, ajo përflitet si një nga emrat kryesorë që mund të jetë pjesë e këtij edicioni.
“Ferma VIP” pritet të nisë më 20 mars dhe këtë herë do të vijë me një ndryshim të rëndësishëm, pasi moderimin do ta marrë Arbana Osmani, duke shtuar edhe më shumë interesin për këtë sezon të ri.
Ndërkohë, vetë Xheneta ka reaguar në mënyrë të tërthortë ndaj këtyre spekulimeve. Gjatë një bisede virtuale në Instagram, e pyetur drejtpërdrejt nga një ndjekës për pjesëmarrjen e saj në “Ferma VIP”, ajo ka zgjedhur të mos japë një përgjigje të qartë. Në vend të saj, Xheneta ka postuar vetëm një “Hmmmmmmmm”, të shoqëruar me një foto ku shfaqet me një kapele kamoshi një detaj që shumëkush e ka lidhur menjëherë me tematikën e formatit.
Në botën e showbiz-it, shpesh personazhet publike preferojnë të lënë gjithçka në kuadrin e misterit deri në momentin e konfirmimit zyrtar. Edhe në këtë rast, mungesa e një mohimi të prerë është interpretuar nga ndjekësit si një sinjal që diçka mund të jetë në horizont.
Tani mbetet për t’u parë nëse këto aludime do të konfirmohen dhe nëse Xheneta Fetahu do të jetë vërtet një nga surprizat e këtij sezoni të “Ferma VIP”.
