
Qëllohet për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja me armë zjarri brenda në sallën e gjyqit dhe ka mbetur i vdekur.
Ngjarja tronditëse ndodhi pasditen e sotme, kur pas vendimit të dhënë në seancën gjyqësore një person i armatosur është futur brenda në ambientet e gjykatës dhe ka qëlluar me armë në drejtim të gjyqtarit Kalaja, ndërsa dy persona të tjerë, babë e bir mbetën të plagosur.
Mësohet se gjyqtari Kalaja ishte në një gjyq për një çështje administrative, kundërshtim të veprimeve përmbarimore, ku autori i dyshuar dyshohet se është palë në çështje. Pasi u qëllua me armë, gjyqtari është dërguar drejt spitalit, por ka mbërritur pa shenja jete. Babë e bir që mbetën të plagosur, janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa një prej tyre është futur në operacion.
Burimet bëjnë me dije se autori i ngjarjes, Elvis Shkambi është vënë në pranga dhe është sekuestruar edhe arma e krimit.
Dinamika e ngjarjes është e paqartë, pasi nuk dihet se si autori ka mundur të depërtojë me armë brenda në ambientet e gjykatës, pasi në hyrje të saj ka një detektor metalik.