Një vrasje ka ndodhur pasditen e sotme në Shkodër ku është vrarë 20-vjeçari Pavlin Preka. Ngjarja ka ndodhur në fshatin “Guci e Re” në Shkodër, rreth orës 14:50.
Në lidhje me ngjarjen si autorë të dyshuar janë arrestuar Klaudio Lisaj 20 vjeç dhe Vasel Koçeku, 43 vjeç. Dy autorët akuzohen për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Pavlin Preka u qëllua me 6 plumba në oborrin e banesës së tij, ku jetonte i vetëm pasi prindërit i kishte të divorcuar. Ai është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në pjesën e gjoksit dhe se uniformat blu kanë gjetur vetëm një gëzhojë në oborrin e shtëpisë. 20-vjeçari kishte 4 ditë që ishte kthyer në banesë, në fshatin Guci e Re, pasi i riu jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babanë dhe të vëllain pasi merreshin me bagëti.
Trupi i pajetë i Prekës u gjet nga xhaxhai i tij. Ky i fundit kishte shkuar ta kontrollonte pasi nipi nuk i ishte përgjigjur në telefon.

I pyetur për mediat, xhaxhai Prekë Preka thotë se nuk e di arsyen se pse nipi i tij u vra, ndërsa shton se i riu nuk kishte probleme me askënd pasi punonte dhe jetonte vetëm me babanë dhe vëllanë e tij.
“Është djali vëllaut, e kam nip. Lajmin e kam marrë vesh para 20 minutash. E kanë vrarë, bile unë kam marrë fjalë e kanë therë te shtëpia në Guci. Asnjë problem nuk ka pasur… Jetonte me babën dhe vëllanë e vetë në Dukagjin shumicën e kohës. Në Dukagjin ka bagëti, punonte dhe tokat. Kanë ngrënë një kafshatë buke me forcim, është rritur vetëm me babanë. Shteti merr masat e veta,”-tha Prekë Preka.
Ky i fundit, pasi ka parë nipin në oborr, ka lajmëruar menjëherë uniformat blu të Shkodrës.