Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur ditën e enjte në fshatin Golluboc të Malishevës, ku të vrarë mbetën dy vëllezër, Driton dhe Naim Morina. I dyshuari për këtë ngjarje Astrit Isufi është dhëndri i viktimave.
Autori i dyshuar për vrasje fillimisht kishte ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa sot policia ka arritur ta arrestojë atë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, komandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

Isufi ishte fshehur në një godinë të pabanuar, deri në momentin e arrestimit nga policia.
“Po sot rreth orës 06:30 është arrestuar i dyshuari, ai ka qenë i plagosur, pas ndihmës së parë që i është dhënë, ai është dërguar për trajtim në QKUK”, tha Graishta.
Isufi ishte i plagosur dhe fillimisht është dërguar në urgjencën e Malishevës, e më pas në QKUK nën masa të rrepta sigurie.
Lexo edhe:
Naser Syla, drejtori i Emergjencës, ka thënë se gjendja e tij është stabile dhe se po i bëhen të gjitha ekzaminimet.
“Aktualisht pacienti ndodhet në emergjencë, janë duke iu bërë ekzaminimet. Gjendja e tij është stabile. Do të transferohet në Kirurgji Abdominale”.