Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku u vra 14-vjeçari Martin Cani pranë shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ në Tiranë, policia ka arrestuar autorin e mitur. Në sherrin me thika pas mësimit më datë 18 nëntor, autori e goditi Canin me thikë në zemër, i cili ndërroi jetë në spitalin e Traumës.
Edhe autori është i mitur, 14 vjeç dhe ndaj tij rëndojnë dy vepra penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta“.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal.Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit”, njofton policia.
Nga sherri që dyshohet se mes të miturve ka nisur që të premten, humbi jetën 14-vjeçari Cani, u plagos shoku i tij Luis Meçja, si edhe autori i ngjarjes, por të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në konflikt direkt u përfshin 4 adoleshentë, viktima Martin Cani, shoku i tij, Luis Meçja, autori i cili po ashtu ishte nxënës i shkollës Fan Noli. Në sherr u përfshi edhe një shok i autorit, i cili është përpjekur të ndajë adoleshentët. Ai është shoqëruar në polici dhe është marrë në pyetje nën shoqërinë e psikologëve, pasi është i mitur.
Sherri mes tyre ka nisur që të premten në shkollë dhe përfundoi në përdorimin e thikave duke u marrë jetën Canit, i cili ëndërronte të bëhej futbollist dhe ishte pjesë e ekipit U-15 me Dinamon. Nga ajo që deri më tani dihet, grupi i djemve janë takuar në një rrugicë qorre pranë shkollës “Fan Noli”, fillimisht mes tyre ka nisur debat verbal, për të vijuar me grushte dhe në fund me nxjerrjen e thikave.