Një 31-vjeçar ka ndërruar jetë pasditen e sotme në kryeqytet pasi është goditur me thikë sapo ka dalë nga makina në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.
Viktima Egli Pashollari sapo ka dalë nga makina është sulmuar menjëherë nga 3 persona, 2 djem dhe 1 vajzë. Gjatë përleshjes fizike, njëri prej djemve e ka goditur të paktën një herë në kurriz. Pashollarit i është dhënë ndihma e parë pranë një lokali dhe direkt me makinën e tij është nisur drejt spitalit nga disa persona të tjerë, dëshmitarë në vendngjarje, ku edhe ka humbur jetën rrugës.
Personi që goditi me thikë 31-vjeçarin është identifikuar si Gazmend Buçpapa, i cili është shpallur në kërkim së bashku me 2 autorët e tjerë të sulmit. Ata janë me origjinë nga Tropoja.
“Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi E. P, rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital”,- njofton policia.
Egli Pashollari është ish-gardian burgu i akuzuar në vitin 2020 se tentoi t’i fuste alkool në qeli Emiljano Shullazit.