
Vrasja e dyfishtë që ka tronditur qytetin e Durrësit ka zbuluar detaje të reja për personat e përfshirë në ngjarje. Një nga viktimat, Flori Paluçi, mësohet se kishte pasur probleme me ligjin edhe jashtë vendit dhe dyshohej për përfshirje në aktivitete kriminale. Pas një periudhe emigracioni, ai ishte rikthyer në Durrës, ku njihej nga autoritetet për të kaluarën e tij të dyshimtë.
Ndërkohë, autori i dyshuar i ngjarjes, 21-vjeçari Daniel Pepa, është një emër i njohur për komunitetin dhe policinë lokale, për shkak të përfshirjes në konflikte të shpeshta dhe sjelljeve të dhunshme. Aktualisht, ai ndodhet në arrati, ndërsa forcat e rendit kanë nisur një operacion të gjerë për ta lokalizuar dhe arrestuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një karburanti, pas një konflikti që, sipas burimeve paraprake, ka nisur për një kafe. Fillimisht, Flori Paluçi dyshohet se ka qëlluar me armë Aranit Kurtin, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa më pas është ekzekutuar nga Daniel Pepa. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e krimit dhe për të përcaktuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.


