Vrasja e 25-vjeçarit Kevin Muharremi në Itali ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe miqtë e tij, të cilët kanë zgjedhur të reagojnë në mënyrën më të heshtur në rrjetet sociale.
Në orët pas ngjarjes, disa prej tyre kanë publikuar në “story” simbolin e shiritit të zi, një shenjë e njohur zie dhe dhimbjeje, pa shtuar asnjë fjalë. Një reagim i tillë tregon më shumë se çdo mesazh, duke reflektuar tronditjen dhe humbjen e madhe që ka lënë pas kjo ngjarje.


Ngjarja e rëndë ndodhi në Montecalvoli, ku Kevin Muharremi u qëllua për vdekje në agim, teksa ndodhej në makinë me dy miq. Sipas hetimeve, ai u godit në qafë nga një plumb i qëlluar nga një automjet që iu afrua paralelisht.
Dyshohet se gjithçka nisi pas një konflikti në një lokal në zonën e Capanne, ndërsa policia italiane ka ndaluar një të dyshuar për ngjarjen. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit.