Prokuroria e Tiranës ka paraqitur pretencën ndaj të miturit Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Meçjës. Organi i akuzës kërkoi dënimin prej 25 vitesh burg për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave”.
Megjithatë, prokurorja Alma Felaj theksoi se vendimi përfundimtar i lihet në dorë gjykatës, duke i kujtuar asaj nenin 97 të Kodit Penal, i cili rregullon dënimet për të miturit. Ky nen parashikon se, edhe në rastet e veprave të rënda, dënimi nuk mund të tejkalojë 12 vite burg, çka do të thotë se gjykata mund të vendosë një dënim shumë më të ulët se ai i kërkuar fillimisht nga prokuroria.
Në seancën e ardhshme pritet të paraqiten konkluzionet e mbrojtjes, si edhe qëndrimet e palëve të dëmtuara. Gjatë përleshjes që çoi në vrasjen e Martin Canit u plagos edhe vetë i pandehuri. Që prej nëntorit 2024, 14-vjeçari Mario Përlleshaj ndodhet në institucionin e të miturve në Kavajë.
Nesër, më 18 nëntor, bëhet një vit nga ngjarja e rëndë që ndodhi pas një sherri të nisur në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Në orën 13:00 është njoftuar se prindër dhe aktivistë do të mblidhen në shkollën “Fan Noli” për të kujtuar viktimën dhe për të kërkuar më shumë siguri në institucionet arsimore.