
Gjykata e Durrësit ka dënuar me burgim të përjetshëm Hysen Metën, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Meta, dhe më pas për fshehjen e trupit. Ngjarja e rëndë ndodhi në Shënavlash të Durrësit dhe u zbulua më 10 shkurt 2024.
Motra e tij, Hygerta Meta, është dënuar me 8 vite burg, ndërsa i vëllai, Amarildo Meta, me 5 vite burg. Bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta, është dënuar me 3 vite burg.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës vendosi që Hysen Meta të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa Hygerta Meta, Amarildo Meta dhe Blerina Meta do të qëndrojnë në një burg me siguri të zakonshme.
Vendimi lejon ankimin në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.
Njoftimi i gjykatës:
VENDIM
“NË EMËR TË REPUBLIKËS”
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e përbërë prej gjyqtarëve Xhevdet Lika, Rexhep Bekteshi dhe Alban Veçani, vendosi:
- Të deklarojë fajtor të pandehurin Hy. M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” (neni 79/c i Kodit Penal), dhe ta dënojë me burgim të përjetshëm.
- Të deklarojë fajtor të pandehurin Hy. M. për “Mbajtje pa leje dhe prodhim armësh dhe municionesh” (neni 278/4 i K. Penal), me 3 vite burgim.
- Të pushojë akuzën ndaj Hy. M. për “Fshehje dhe asgjësim kufome” (nenet 303 e 25 të K. Penal).
- Në zbatim të nenit 55 të K. Penal, të bashkojë dënimet dhe ta dënojë Hy. M. me një dënim të vetëm – burgim të përjetshëm.
- Të deklarojë fajtore të pandehurën Hyg. M. për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” (neni 301 i K. Penal), me 3 vite burgim.
- Të deklarojë fajtore Hyg. M. për “Fshehje dhe asgjësim kufome, në bashkëpunim” (nenet 303 e 25 të K. Penal), me 5 vite burgim.
- Në bashkim të dënimeve (neni 55 i K. Penal), ta dënojë Hyg. M. me 8 vite burgim.
- Të deklarojë fajtor të pandehurin A. M. për “Fshehje dhe asgjësim kufome, në bashkëpunim” (nenet 303 e 25 të K. Penal), me 5 vite burgim.
- Të deklarojë fajtore të pandehurën B. M. për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” (neni 301 i K. Penal), me 3 vite burgim.
- Të urdhërojë që Hy. M. ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa Hyg. M., A. M. dhe B. M. në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Në zbatim të nenit 190 të K.Pr.Penale, për provat materiale të veprohet sipas pjesës arsyetuese të vendimit.
- Shpenzimet e hetimit dhe të gjykimit u ngarkohen në mënyrë solidare të pandehurve Hy. M., Hyg. M., A. M. dhe B. M.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.
U shpall në Durrës, më datë 23.10.2025
GJYQTARËT:
Rexhep Bekteshi | Xhevdet Lika | Alban Veçani
SEKRETARE: S. Bllaca


