Memaliaj pritet të pulsojë nga energjia e artit dhe komunitetit më 23 dhe 24 maj, kur qyteti do të mirëpresë edicionin e katërt të festivalit kulturor Vjosa n’Fest. Aktiviteti organizohet nga Tirana Ekspres dhe synon të fuqizojë zonat e margjinalizuara përmes një ndërthurjeje të muzikës, natyrës, sportit dhe trashëgimisë kulturore.
Për këtë vit, festivali sjell një program të pasur me koncerte nga emra të njohur të skenës muzikore shqiptare si Ylli Baka, Fifi, Anxhela Peristeri, Fjoralb Dedja, VinVeli dhe këngëtari me famë botërore Jimmy Dubb. Krahas muzikës, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përjetojnë aktivitete në natyrë si rafting, hipizëm, paintball, si dhe të kampojnë buzë lumit Vjosë.
Në qendër të vëmendjes do të jenë edhe arti vizual dhe poezia. Një ekspozitë fotografike nga Alket Islami dhe një mbrëmje poetike me autorë lokalë pritet të sjellin emocione të veçanta, ndërsa Cirk Kombëtar do të performojë live për publikun. Ndërkohë, një panair artizanal dhe kulinar do të prezantojë produktet më autentike të zonës, duke promovuar trashëgiminë e saj kulturore.
Një nga pikat kulmore të festivalit do të jetë premiera ekskluzive e filmit “Vlog 13” nga regjisori D. Kodheli.
Pas tri edicionesh të suksesshme, Vjosa n’Fest zhvendoset këtë vit në Memaliaj, duke kthyer vëmendjen drejt një qyteti me histori të pasur dhe potencial të jashtëzakonshëm turistik. Përmes një formule që bashkon traditën me të renë, festivali synon të sjellë rigjallërim, zhvillim dhe një frymë të re optimizmi në këtë pjesë të jugut të vendit.