Vëllai i Muçi Shaljanit alias Sheqerit, Shemsi Shaljani, është arrestuar nën akuzën e dhunës në familje. Ai dyshohet se ka goditur derën e bashkëshortes së vëllait të vrarë dhe e ka kërcënuar për jetën, pasi ka pretenduar të marrë pronësinë e një objekti katërkatësh dhe dy ambienteve bar-kafe që administronte bashkëshorti i saj. Gjykata e Tiranës caktoi më 16 mars masën e sigurisë “arrest me burg” për 40-vjeçarin, ndërsa policia ka sekuestruar pamjet filmike dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes.
Konflikti ka nisur pas vdekjes së Muçi Shaljanit, i cili u vra më 11 nëntor 2025 në një atentat mafioz pranë aeroportit të Rinasit së bashku me Gilmando Dani. Pas vdekjes, bashkëshortja e Shaljanit ka raportuar se vëllezërit e bashkëshortit të saj kishin pretendime mbi pronësinë e banesës dhe lokaleve, duke shkaktuar tensione që përfunduan me veprime të dhunshme nga ana e Shemsi Shaljanit.
Ndërkohë, hetimet për atentatin mafioz që i mori jetën Muçi Shaljanit dhe Gilamndo Danit po kryhen nga Prokuroria e Posaçme. Përveç kësaj, lidhur me punësimin e paligjshëm të Shaljanit si agjent të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, janë marrë të pandehur ish-drejtori i komanduar i AMP-së, Artion Saliasi, dhe drejtori i burimeve njerëzore, Gëzim Sala, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.