Familjarët e 30-vjeçarit Sajmir Beca, shqiptari i cili humbi jetën pas një aksidenti tragjik në Northampton të Anglisë, kanë reaguar për JOQ Albania, duke kundërshtuar disa prej raportimeve të publikuara në mediat britanike lidhur me rrethanat e jetës së të ndjerit.
Reagimi i familjarëve vjen pas publikimit të lajmit të raportuar nga media jonë një ditë më parë, i cili ishte bazuar tërësisht në informacionet e publikuara nga mediat britanike, pa ndërhyrje në përmbajtje.
Sipas autoriteteve britanike, ngjarja ndodhi më 31 tetor 2025, kur 30-vjeçari u godit nga një kamion mbeturinash ndërsa ndodhej brenda një koshi industrial në zonën e Wellington Street. Ai u dërgua në spitalin e Coventry-t, ku ndërroi jetë më 6 nëntor si pasojë e dëmtimeve të rënda dhe dështimit të shumëfishtë të organeve.
Ndërkohë, familja e të ndjerit, përmes një deklarate të dërguar për JOQ Albania, ka kundërshtuar pretendimet e disa mediave britanike që e kanë përshkruar Sajmirin si person të pastrehë. Ata deklarojnë se këto pretendime nuk përputhen me të vërtetën dhe se i ndjeri kishte shtëpi dhe familje.
Familjarët theksojnë gjithashtu se, ndonëse autoritetet britanike kanë përcaktuar shkakun mjekësor të vdekjes, mënyra se si i ndjeri ka përfunduar brenda koshit të mbeturinave mbetet ende e paqartë dhe pjesë e një hetimi aktiv.
Deklarata e plotë e familjarëve për JOQ Albania:
“Deklaratë familjare në lidhje me vdekjen e Sajmir Beçës
Ne, familja e Sajmir Becës, me zemër të thyer konfirmojmë se Sajmiri humbi jetën pas një aksidenti tragjik që ndodhi në Northampton më 31 Tetor 2025. Ai u godit dhe u shtyp nga një kamion mbeturinash dhe u dërgua menjëherë në spitalin e Coventry-t, ku fatkeqësisht ndërroi jetë në Nëntor 2025 si pasojë e dështimit të shumëfishtë të organeve dhe dëmtimit të rëndë të legenit.
Ditët e fundit, disa media kanë publikuar informacione të pasakta në lidhje me Sajmirin, duke pretenduar për shembull se ai ishte në gjendje të pastrehë. Kjo nuk është e vërtetë. Sajmiri kishte një shtëpi, një vend ku i përkiste, dhe një familje që e donte pa masë. Këto pretendime të pavërteta na kanë shkaktuar dhimbje dhe shqetësim të madh emocional në një kohë tashmë tepër të vështirë.
Sajmiri, si shumë emigrantë, u përball me sfida, por ai ishte një djalë i dashur, nip, dhe kushëri shumë i çmuar për të gjithë ne. Ai ishte një i ri tepër punëtor, me një zemër të pastër dhe të artë.
Ne ju lutemi publikut dhe mediave të mos shpërndajnë ose përsërisin informacione të pasakta, veçanërisht etiketime si “i pastrehë”, pasi ato nuk përfaqësojnë aspak atë që ishte Sajmiri apo jetën që ai jetoi. Ne kemi kontaktuar tashmë platformat mediatike në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar për të kërkuar korrigjimin e këtyre pasaktësive.
Policia ka konfirmuar shkakun mjekësor të vdekjes së Sajmirit, por ende nuk ka ndarë me ne se si ai përfundoi brenda koshit të mbeturinave. Ky është një hetim aktiv dhe shumë delikat. Ne kërkojmë me respekt që të mos bëhen spekulime mbi rrethana që nuk janë konfirmuar.
Në këtë periudhë të dhimbshme, kërkojmë me mirëkuptim privaci, respekt dhe ndjeshmëri, në mënyrë që të mund të marrim kohën tonë për të vajtuar në paqe dhe për ta nderuar kujtimin e Sajmirit me dinjitetin që ai meritonte.
Ju falënderojmë.”