Hevzi Sejdiu dhe familja e Daorsa Spahija
Pas lajmeve të shumta të cilat po qarkullojnë kohët e fundit nëpër media se i dashuri i Daorsa Spahija, Hevzi Sejdiu akuzohet nga familjarët dhe miqtë e studentes për vdekjen tragjike të saj në Tetovë, familja e tij ka dalë me një reagim publik ku për Zhurnal, ka hedhur poshtë kategorikisht çdo pretendim të tillë ndërsa edhe kanë paralajmëruar padi ndaj mediave që kanë keqpërdorur emrin e tyre.
“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që pa asnjë fakt apo bazë ligjore, emri i familjes sonë është përmendur në mënyrë të papërgjegjshme. Sulmi mediatik që u bë ndaj nesh, akoma pa u zbardhur rasti, është një tentativë për të njëllosur familjen tonë dhe për të deformuar perceptimin publik,” deklaron një anëtar i familjes Sejdiu.
Familja bën të ditur se deri më tani ka qëndruar e heshtur për të mos ndikuar në procesin hetimor, mirëpo pas valës së publikimeve të pavërteta, konsideron se është kaluar çdo kufi i raportimit etik.
“Ne kemi heshtur për të respektuar hetimet, por nuk mund të qëndrojmë më indiferentë ndaj shpifjeve dhe etiketimeve të padrejta. Disa media kanë lejuar qarkullimin e lajmeve të pa verifikuara, kanë përmendur mbiemrin e plotë të familjes sonë, madje edhe emra individualë pa asnjë arsye apo fakt. Kjo është e papranueshme dhe e dënueshme. Ndaj kësaj nuk do të qëndrojmë duarkryq do të inicojmë padi për mediat në Kosovë dhe në vendin tonë, me theks të veçantë edhe për gazetarë lokal në Tetovë që kanë raportuar në formë të papërgjegjshme,” thuhet më tej në reagim.
Kujtojmë se Daorsa Spahija, 25-vjeçarja nga Gjakova, humbi jetën tragjikisht javën e kaluar në Tetovë, ndërsa ra nga kati i katërt i një ndërtese në qendër të qytetit.