Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur në Greqi, ku një 2-vjeçar me prindër shqiptar (babai) dhe britanike (mamaja), humbi jetën pasi u sulmua nga një qen pitbull për të cilin kujdesej familja e tij.
Fëmija ndodhej për pak kohë i vetëm me qenin, pa kujdesin e prindërve, dhe menjëherë u gjend nën sulmin e qenit. Plagët në trupin e të miturit rezultuan fatale, pavarësisht përpjekjeve të prindërve të tij.

Duke dëgjuar britmat, babai vrapoi menjëherë për të shpëtuar djalin e tij, por pa sukses. Ambulanca mbërriti në vendngjarje, por fëmija u dërgua në spital në gjendje kritike. Pavarësisht përpjekjeve jashtëzakonisht të mëdha të mjekëve për ta shpëtuar, Leo nuk mundi të mbijetonte.
Mediat greke shkruajnë se në faqen e tyre në Facebook, prindërit shpesh ndanin foto dhe video të qenve që kujdeseshin në shtëpi dhe në strehëzën e tyre, ku përfshihej edhe Leo.
Sipas informacioneve, vetëm 10 ditë më parë, më 27 nëntor, Leo festoi ditëlindjen e tij të dytë me familjen. Pitbulli që sulmoi fëmijën ishte një qen endacak që prindërit e gjetën përpara derës së shtëpisë disa ditë më parë dhe vendosën të kujdesen për të bashkë me kafshët e tjera që kishin në shtëpi.
Lexo edhe :
Qeni, për të cilin nuk kishte asnjë informacion për sjellje agresive më parë, që nga mbrëmja e djeshme ndodhet në një strehëz me urdhër të prokurorit, sipas ligjit.
“Nga nesër do t’i dorëzohet një veterineri për t’u monitoruar,” tha për ERT kryetari i Bashkisë Zakinthos, Giorgos Stasinopoulos.
Në periudhën në vijim, një komision pesëanëtarësh nga Patra do të vendosë nëse pitbulli duhet të eutanazohet ose të vendoset në një strehëz për mbrojtje. “Askush nuk e di ende se çfarë ndodhi dhe si ndodhi që fëmija humbi jetën,” shtoi Stasinopoulos.
Ndërkohë, prindërit e djalit 2-vjeçar, babai shqiptar dhe nëna britanike, janë liruar me urdhër të prokurorit.