Mediat greke zbardhin të tjera detaje nga atentati mafioz që i mori jetën 32-vjeçarit shqiptar Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, një emër i njohur i botës së krimit në Lezhë.
Sipas mediave greke, Brahimi nuk jetonte në Greqi, por në Emiratet e Bashkuara Arabe, vend ku strehohen edhe shumë persozhe të tjerë të krimit, qoftë për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare, apo si në këtë rast plumbave të armiqve. Ai ishte kthyer në Greqi për festën e Pashkëve, pasi aty jetonte bashkëshortja e tij Katerina Beqo dhe djali i vogël 7 vjeç.
Burime për mediat greke bëjnë me dije se ai kishte dhe një banesë tjetër në Athinë. Në Greqi, Roan Brahimi alias Sidorel Prendi rezulton me skedë të pastër penalë ndërkohë që bashkëshortja e tij është shprehur për grupin hetimor se ai kishte armiq në Shqipëri.
Nisur nga këto detaje, lihen dyshimet se autorët kanë patur informacion të saktë për të se kur është futur në Greqi, ku dikush duket se e ka spinuar 32-vjeçarit. Vrasësit ishin të maskuar dhe me motor, teksa po e ndiqnin makinën e tij, deri në momentin kur ndaloi dhe iu afruan duke hapur zjarr me breshëri.
Në drejtim të makinës ku ishte Roan Brahimi bashkë me bashkëshorten e tij, janë qëlluar më shumë se 100 plumba, ndërkohë që në afërsi të skenës së krimit ka qenë dhe djali 7-vjeçari i çiftit.