Flora Hoxha, gruaja e moshuar që kërkohej nga shërbimet e Policisë prej mëngjesit të djeshëm në fshatin Progër të Devollit, është gjetur e pajetë sot. Ajo është marrë nga rrjedha e ujit dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.
75 vjeçarja me probleme të shëndetit mendor ka dalë nga shtëpia rreth orës 05:00 të mëngjesit të së premtes dhe nuk është kthyer më. Ajo jetonte me bashkëshortin, i cili ka njoftuar autoritetet dhe menjëherë ka nisur dhe kërkimi.
Flora Hoxha është rrëmbyer nga ujërat e kanalit kryesor të fshatit Progër, i cili prej 3 ditësh ka qenë i gjithi i mbuluar me ujë për shkak të reshjeve intensive.
Për gjetjen e 75 vjeçares ka patur një angazhim të gjerë nga Policia e Shtetit, Forcat Zjarrfikëse dhe Emergjencat Civile, por fatkeqësisht Flora Hoxha ka humbur jetën. Trupi i saj është gjetur pas rreth 24 orësh.
“Rreth orës 08:30, në fshatin Progër është denoncuar nga familjarët se është larguar nga banesa shtetësja F. H., rreth 75 vjeçe, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor”, njoftoi Policia, ndërsa sot e moshuara është gjetur e vdekur.
Devolli është një nga zonat më të goditura nga reshjet dhe përmbytjet në juglindje të vendit, ndërkohë që këtë të shtunë autoritetet menaxhuese të Hidrocentralit të Moglicës janë detyruar të hapin portën e parë të emergjencës, si pasojë e prurjeve maksimale nga lumi Devoll.