Bekim Halilaj, 29-vjeçari shqiptar nga fshati Bicaj i Kukësit i cili u gjet i varur në një tabelë sinjalizimi rrugor në Bruksel, kishte një të kaluar të rëndë kriminale. Ai ishte arrestuar në prill të vitit 2017 në Southampton të Britanisë së Madhe, si pjesë e një grupi që merrej me trafikun e kokainës.
Së bashku me tre shqiptarë të tjerë Nuri Muçmataj, Fitim Halilaj dhe Tamas Hela, Bekimi ishte pjesë e një operacioni të strukturuar kriminal që shpërndante lëndë narkotike në vlera të mëdha. Gjatë operacionit policor në Britani, autoritetet sekuestruan një furgon me kokainë të pastër me vlerë 140 mijë paund si dhe 180 mijë paund para cash.
Bekim Halilaj u arrestua në një apartament ku u gjetën gjithashtu lëndë narkotike me vlerë 10 mijë paund. Ai u dënua me 7 vite burg, ndërsa katër anëtarët e grupit morën së bashku 25 vite heqje lirie. Kjo e kaluar kriminale ka ngritur dyshime të forta mbi vdekjen e tij në Bruksel.
Mënyra e gjetjes së trupit nënkupton një ekzekutim të mundshëm, të lidhur me konfliktet mes grupeve kriminale ndërkombëtare. Autoritetet belge nuk e kanë përjashtuar as pistën e vetëvrasjes, por hetimet janë të fokusuara edhe në prapavijën kriminale të viktimës.