Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të hënë në zonën e Llogarasë, ku një person u gjet i djegur brenda automjetit të tij tip “BMW”. Viktima është identifikuar si Artjol Xhelo, 32 vjeç, ish-punonjës i Policisë së Shtetit. Mësohet se i ndjeri në vitin 2023 ishte larguar nga radhët e policisë me dorëheqje.
Nga verifikimet e kryera, kamerat e sigurisë të bizneseve pranë zonës kanë treguar se personi ka qenë i vetëm kur ka hyrë në Llogara. Sipas familjarëve, 32-vjeçari vuante nga depresioni dhe para se të largohej nga banesa u kishte deklaruar: “Nëse nuk gjej punë, nuk kthehem më sot në shtëpi”.
Ky fakt ka ngritur dyshimet se 32-vjeçari mund ti ketë dhënë fund jetës, duke u djegur në makinën e tij në zonën e Qafës së Llogarasë ditën e sotme. Por hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa priten edhe konkluzionet zyrtare nga ekspertiza.