Elton Tozaj ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike pas denoncimeve të transmetuara në emisionin Fiks Fare, ku u aludua për një rast mashtrimi në emër të televizionit “Top Channel”.
Ditën e sotme, Tozaj ka reaguar ekskluzivisht për Eterna Media, duke dhënë versionin e tij të plotë të ngjarjes dhe duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura ndaj tij.
“Më vjen keq që dikush po tenton të keqpërdorë emisionin prestigjioz Fiks Fare, por dua të deklaroj vetëm një gjë: ditën e nesërme do të publikoj faturat që vërtetojnë se kam paguar,” – shprehet Tozaj.
Ai mohon kategorikisht çdo akuzë për mashtrim dhe sqaron se nuk ka përdorur emrin e asnjë institucioni për përfitime personale, duke sqaruar edhe statusin e tij profesional.
“Nuk kam gënjyer askënd kur kam thënë që jam opinionist. Me pagesë apo pa pagesë, kjo është zgjedhja ime dhe mënyra se si vendos të punoj si profesionist i lirë,” – thekson ai.
Në reagimin e tij, Tozaj ndalet edhe te një rast i përmendur në reportazh, që daton në vitin 2022, në Kërcë, ku u pretendua se ai nuk kishte kryer pagesën përkatëse.
“Jo vetëm që kam paguar, por jam i gatshëm të vë në dispozicion faturën bankare origjinale që e provon këtë fakt,” – deklaron ai.
Gjithashtu, Tozaj ka shprehur keqardhje ndaj zonjës së përfshirë në rast, duke sqaruar se mes tyre ekziston një marrëdhënie e rregullt ligjore.
“Me zonjën e nderuar i kërkoj falje nëse është trembur. Me të kam pasur dhe kam raporte shumë të mira. Ekziston një akt noterial mes nesh, nëpërmjet të cilit kësti i fundit i pagesës është i përcaktuar për datën 5 prill 2026,” – shton ai.
