Një tjetër ekzekutim tronditi kryeqytetin, ku 27-vjeçari Klaudio Prendi, i cili ishte djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash pak pas mesnate. Prendi ishte në një lokal me miqtë në zonën e njohur si ‘Xhamlliku’, ku u vra me armë zjarri silenciator sapo doli për të hipur në makinë. Ngjarja ndodhi pak pas mesnate, rreth orës 00:36 të 19 nëntorit.
Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t’u larguar, e kanë vëzhguar djalin e ish-gjyqtarit. Ata e kanë pritur të riun, që ishte në lokal me miqtë, derisa doli dhe në momentin që po hipte në makinën e tij e kanë qëlluar me silenciator. 27-vjeçari mori të paktën 5 plumba në trup, dy prej tyre në kokë dhe gjoks që ishin fatale. Shokët e viktimës dalë kanë me vrap nga lokali dhe e kanë nisur Prendin drejt spitalit të Traumës, por ai nuk u mbijetoi dot plagëve.
Një skemë tipike atentati. Makina e autorëve ka ardhur nga zona e Freskut dhe pas vrasjes e kanë djegur ‘Audi’-n në zonën e Farkës. Pasi kanë qëlluar drejt të riut, shoferi dhe qitësi, janë larguar në drejtim të qendrës dhe mjeti duke u djegur rreth orës 01:05 në Farkë. Një person i tretë dyshohet se i ka ndihmuar të largohen dhe burime nga grupi hetimor i thanë Report Tv se në mjetin e shkrumbuar të autorëve nuk është gjetur arma që u përdor për ekzekutimin e të riut.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërkohë që disa persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Burimet thonë se Prendi kohët e fundit kishe disa sherre me persona të tjerë, konflikte që po hetohen nga policia. Report Tv solli edhe pamjet nga vendi i ngjarjes, ku dallohet edhe makina në të cilën ka qenë duke hipur i riu në momentin që ndaj tij u qëllua me armë.
Klaudio Prendi nuk është emër i panjohur për blutë, pasi më 6 maj 2023, ai ka qëlluar ne armë zjarri në qytetin e Pukës. Për këtë ngjarje i riu ishte shpallur në kërkim, ndërkohë që asokohe raportohet që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një makinë mjaft e shtrenjtë ‘Maserati’. Ngjarja asokohe mori nuanca poltike, për shkak se Prendi njihej edhe si krahu i djathtë i kandidatit ‘Bashkë Fitojmë’ Rrok Dodaj.
Prendi është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, i cili u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë në vitin 2020, pas nisjes së procesit të vettingut. Ish-gjytari Prendi e nisi karrierën në Gjykatën e Pukës, në vitin 2006 është transferuar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore ka qenë edhe gjyqtar në GJKKO dhe më pas u dorëhoq pa u vënë në filtër për pasurinë, integritetin profesional dhe pastërtinë e figurës.
Pak ditë më parë, më 13 nëntor, një tjetër ekzekutim ndodhi në Tiranë. Me një plumb në kokë u vra ndërtuesi Eduart Reçi, ngjarje ende e pazbardhur.