Një kult sekret në provincën Chaiyaphum të Tajlandës është zbuluar pas një bastisjeje policore që nxori në pah praktika tronditëse. Rreth 30 ndjekës konsumonin jashtëqitjen, urinën dhe lëngje të tjera trupore të liderit të tyre shpirtëror, Tawee Nanla, duke besuar se kishin fuqi shëruese.
Gjatë operacionit, policia gjeti 11 trupa të pajetë të ruajtur në arkivole brenda komunës së improvizuar në xhungël. Sipas autoriteteve, trupat i përkisnin personave të sëmurë që kishin kërkuar trajtim nga lideri.
Tawee, rreth 70-vjeç, u arrestua dhe u akuzua për uzurpim toke publike, organizim tubimesh të paligjshme gjatë COVID-it dhe transport të paligjshëm trupash. Sipas mediave lokale, disa ndjekës madje konsumuan urinën dhe copa lëkure të tij edhe gjatë bastisjes.
Skandali u thellua kur Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ushqimet e prodhuara nga komuniteti, krokante peshku, bizele të skuqura dhe kallamar i tharë, përmbanin nivele të rrezikshme myku dhe ndotje fekale. Uji në ambientet e kultit rezultoi i kontaminuar me baktere si E. coli.
Rasti u zbulua pas denoncimit të një YouTuberi investigativ. Kryeministri i Tajlandës e cilësoi ngjarjen “të neveritshme”, ndërsa hetimet vijojnë.