Një ngjarje e rëndë është shënuar në Gjirokastër ku, një 12-vjeçare është abuzuar seksualisht për 2 vite me radhë nga partneri i nënës së saj.
Ngjarja bëhet edhe më tronditëse pasi partneri i nënës së saj, Kelmend Krusa së bashku me vëllain e tij Klodian Krusa u vunë në pranga rreth një javë më parë si autorë të dyshuar të vrasjes së Artur Lleshit, i cili ishte babai i vajzës së abuzuar seksualisht.
E ëma e vajzës, pas zhdukjes së bashkëshortit të saj në vitin 2018, i cili më pas u gjet i vrarë, u largua në drejtim të Gjirokastrës, ku bashkëjetoi me Kelmend Krusën, teksa me vete mori edhe fëmijët e saj.
Rezulton se vëllezërit Krusa ishin kushurinj me viktimën Artur Lleshi. Pas arrestimit të dy vëllezërve, vëllai i viktimës Lulëzim Lleshi, ka bërë një deklaratë të fortë ku është shprehur se dy binjakët Klodian dhe Kelmend Krusa u kanë marrë gratë atij dhe vëllait të tij të ndjerë.
Sipas tij, dyshimet e para për ngjarjen qëndrojnë te gratë e tyre, pasi ato e dinin çfarë kishte ndodhur në shtëpinë e vëllait të tij dhe kanë jetuar më pas me të dy vëllezërit Krusa, teksa bën thirrje që ato duhet të arrestohen.
“Në 2018 erdhi vëllai që ishte emigrant në Maqedoni. Të nesërmen humbi vëllai. Piu kafe me kushërinjtë, dhe raki. Ishte mbrëmë. Këta që janë arrestuar janë Klement dhe Klodian Krosa. Me këta piu kafe te shtëpia e vëllait. Kanë ndenjur deri në orët e vona. Kisha shkuar dhe nënën time te shtëpia e vëllait. Kur i ngrita në mëngjes, erdhën këta dy kushërinjtë në mëngjes dhe thanë; hajde pimë kafe te vëllai. Kur shkuam aty ajo tha; burri ka ikur në Gostivar. Kam kërkuar gati 1 vit në Maqedoni, dhe pas 1 muajsh u gjet në tunelin e Gurëz, i vrarë me një plumb. Dyshimet i kam në familjen time. Duhet të arrestohen gratë në radhë të parë. Duhet të arrestohet ish-bashkëshortja ime dhe ish-kunata ime, se ajo ka humbur gjurmët. Unë i kam kushërinj nga nëna ata. Njëri ka marrë gruan time, tjetri kunatën. Ata u zhduken sapo u zhduk vëllai im. Dyshimet e para i kam te gratë. Ato e dinë se çfarë ka ndodhur në shtëpinë e vëllait tim. Ata vinin si kushërinj në shtëpi. Ata vranë vëllanë, na morën dhe gratë. Dy vëllezërit morën ish-gruan time dhe ish-kunatën time. Ajo po të ishte e drejtë, do të kishte kërkuar për gjurmët e vëllait tim. Ato e dinë, të shtrëngohen nga policia. Ish-gruaja ime iku në Gjirokastër me Klodian Krosën në 1 prill të 2019-ës. Ish-kunata jetonte me qira në Bulqizë, me Klementin. Më thoshin njerëzit që ato kanë marrëdhënie me gratë tuaja.”, është shprehur ai.