Një krim i rëndë ka tronditur Greqinë dhe ka shkaktuar reagim të fortë në opinionin publik, pasi një nënë dhe vajza e saj janë gjetur të murosura brenda banesës.
Sipas mediave vendase, autor i dyshuar i ngjarjes është djali i të moshuarës, njëkohësisht vëllai i 56-vjeçares, i cili dyshohet se ka vrarë të dyja gratë. Para hetuesve, ai ka pretenduar se ishte i detyruar të kryente krimin nga frika se ato do t’i merrnin pasurinë.
Fillimisht, ai ka deklaruar se motra e tij kishte ndërruar jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, duke pretenduar se nuk kishte arritur të fitonte betejën me kancerin. Megjithatë, hetimet zbuluan një realitet krejt tjetër.
Nga verifikimet rezultoi se trupi i 56-vjeçares ishte murosur prej rreth tre muajsh në një nga dhomat e banesës. Pranë saj, në të njëjtin mur, u gjet edhe trupi i pajetë i nënës, e cila dyshohet të jetë vrarë dy ditë pas vajzës.
Ngjarja e rëndë doli në dritë pas denoncimeve të fqinjëve, të cilët kishin ngritur alarmin për zhdukjen e dy grave. Pas nisjes së hetimeve, policia zhvilloi kontrolle në banesë, ku u përball edhe me përpjekjet e autorit për të devijuar hetimin.
Dyshimet e para u shtuan kur efektivët vunë re se një prej dyerve të shtëpisë ishte mbuluar me stuko. Kjo i shtyu ata të thellonin kontrollin në ambient, derisa zbuluan murin pas të cilit fshiheshin trupat e pajetë të dy viktimave.