
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë mbrëmjen e djeshme. Gazetarit dhe prezantuesit të njohur të emisionit investigativ “Report” në Rai 3, Sigfrido Ranucci, i është vendosur një pajisje shpërthyese nën automjetin e tij në zonën Pomezia, pranë Romës. Shpërthimi i fuqishëm përfshiu në flakë edhe makinën e vajzës së tij dhe shkaktoi dëme në banesën familjare.
Sipas mediave italiane, karabinierët, njësia e antiterrorit DIGOS dhe ekspertët mjeko-ligjorë ndodhen në vendngjarje për hetimet. “Makina shpërtheu, duke dëmtuar edhe automjetin tjetër të familjes dhe shtëpinë ngjitur. Fuqia e shpërthimit ishte aq e madhe sa mund të kishte vrarë këdo që kalonte aty pranë,” – thuhet në deklaratën zyrtare të emisionit Report në rrjetet sociale.
Sulmi ndodhi rreth orës 22:00 në lagjen Campo Ascolano. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua. Vetë Ranucci ka rrëfyer për Corriere della Sera:
“Vajza ime kaloi para makinës disa minuta para shpërthimit. Mund ta kishin vrarë. Nuk besoj se është rastësi, pasi pak ditë më parë paralajmërova temat e reja të hetimeve të ‘Report’.”
Hetuesit po analizojnë mbetjet e eksplozivit, që sipas gazetarit mund të ketë qenë “të paktën një kilogram”.
Ranucci është një nga gazetarët më të njohur investigativë në Itali, i cili u bë i njohur edhe në Shqipëri pas emisionit të Report që trajtoi marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë dhe përplasjen e tij me kryeministrin Edi Rama.
Pas publikimit të atij reportazhi, ku përmendej edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi, Rama reagoi ashpër duke mohuar çdo akuzë dhe duke e cilësuar dokumentarin si “të manipuluar”. Ai madje pranoi publikisht se kishte telefonuar drejtuesit e Rai 3, duke thënë se ishte një “telefonatë civile”, ndërsa redaksia e Report e cilësoi atë ndërhyrje të papërshtatshme politike.
Ranucci kishte raportuar edhe më herët se kishte marrë kërcënime dhe tentativa frikësimi, ndërsa autoritetet italiane po hetojnë pistën e lidhjes së atentatit me aktivitetin e tij gazetaresk.
Emisioni “Report” pritet të rikthehet në ekran më 26 tetor me sezonin e ri, ndërsa atentati ndaj drejtuesit të tij ka ngritur shqetësim të madh në Itali për sigurinë e gazetarëve investigativë.


