
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar dhe banorët e Masotti-t, në Serravalle Pistoiese, provincë e Pistoias në Itali.
Mbrëmjen e së premtes, më 24 tetor, Flavio Saraçi, një 19-vjeçar me origjinë shqiptare, u gjet i pajetë në dhomën e tij nga vëllai i vogël. Vdekja e papritur e të riut ka lënë familjen, miqtë dhe të gjithë komunitetin në pikëllim të thellë.
Sipas mediave italiane, rreth orës 18:00, vëllai i Flavios hyri në dhomë dhe e gjeti të rrëzuar në dysheme, pa shenja jete. Shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe e transportuan në Spitalin San Jacopo, por mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.
Dyshohet se shkak i vdekjes mund të ketë qenë një sëmundje e papritur, megjithatë autoritetet kanë urdhëruar autopsinë për të përcaktuar arsyen e saktë të ndarjes nga jeta.

Flavio kishte përfunduar studimet në Institutin “Filippo Pacini” në Pistoia, në degën e shkencave të aplikuara, dhe ishte shumë i dashur nga bashkëmoshatarët e tij.
Kjo është humbja e dytë brenda pak ditësh që godet zonën e Masottit, pas aksidentit tragjik ku humbi jetën 17-vjeçari Matteo Ducceschi. Dy ngjarje të rënda që kanë zhytur në zi një komunitet të tërë.


