Burim Havolli, 41-vjeç, një mbikëqyrës pallati me origjinë nga Kosova, humbi tragjikisht jetën në Brooklyn të Nju Jorkut pasi u sulmua nga një person që po tentonte të vidhte pako në hollin e ndërtesës ku ai punonte.
Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes, pak pas orës 08:00, në një ndërtesë në Ocean Avenue, në zonën Flatbush.
Policia u njoftua menjëherë dhe gjeti Havollin të plagosur rëndë në kokë.
Lexo edhe:
Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Qarkut Kings, ku fillimisht ndodhej në gjendje kritike, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Sipas fqinjëve, Havolli u sulmua teksa po përpiqej të ndalonte grabitësin e pakove.
Banorët e zonës shprehën tronditjen e tyre, duke thënë se ai ishte shumë i respektuar në ndërtesë dhe se siguria në lagje është përkeqësuar vitet e fundit.
Burim Havolli ishte baba i tre fëmijëve dhe jetonte në Brooklyn prej më shumë se 15 vitesh, pasi kishte ikur nga lufta në Kosovë. Familjarët e tij kanë njoftuar gjithashtu se varrimi do të kryhet në Kosovë.
Policia ka marrë një person në pyetje në lidhje me ngjarjen, por deri tani nuk janë ngritur akuza.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e rrethanave të plota të sulmit.