Prendush Kola, 51 vjeç, punonjës mirëmbajtjeje rrugësh, humbi jetën mbrëmjen e djeshme pasi automjeti i tij doli nga rruga në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dardhës”.
Një ngjarje tragjike është shënuar mbrëmjen e djeshme në Fushë Arrëz, ku një 51-vjeçar humbi jetën pas një aksidenti të rëndë rrugor. Viktima është identifikuar si Prendush Kola, punonjës mirëmbajtjeje rrugësh, i cili po kthehej drejt banesës në momentin e ngjarjes.
Në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dardhës”, automjeti që ai drejtonte doli nga rruga dhe përfundoi në një humnerë rreth 300 metra të thellë. Banorët e zonës, të alarmuar nga zhurma e fortë e rënies, nisën menjëherë kërkimet në terren. Rreth orës 22:00, ata arritën ta gjenin Kolën ende me shenja jete.
Sipas burimeve, sapo është gjetur nga banorët, 51-vjeçari, pavarësisht plagëve të rënda, ka mundur të shqiptojë disa fjalë prekëse:
“Më falni që ju shqetësova në këtë orë.”
Këto kanë qenë fjalët e fundit të tij para se të humbiste jetën, pak minuta më vonë, si pasojë e dëmtimeve të shumta.
Në operacionin për nxjerrjen e trupit të pajetë u përfshinë zjarrfikësit e Fushë Arrëzit dhe banorë të zonës, ndërsa trupi i viktimës u nxor nga gremina rreth orës 01:00 të mëngjesit.
NJOFTIMI I POLICISË
Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Qafë Mali–Fierzë”, shtetasi P. U., 51 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një humnerë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, forcat zjarrfikëse dhe ambulanca, por shtetasi P. U. ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Aksi në fjalë njihet për aksidentet e rënda me pasojë vdekjen ku ndër vite banore të Pukës, Fushë-Arrëzit e Tropojës, kanë humbur jetën si pasojë e rrugës së rrezikshme me humnera.