Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik që ndodhi mbrëmjen e djeshme në periferi të Athinës, Greqi.
Mësohet se viktimë e aksidentit ka mbetur 16-vjeçari shqiptar, Eljon Metaj, ndërsa dy shokët e tij që ndodheshin në automjet kanë mbetur të plagosur. Sipas informacioneve, ata ndodhen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dhimokratias”, në zonën Luca, në periferi të Athinës, ku automjeti me të cilin udhëtonin tre adoleshentët ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë. Si pasojë e përplasjes së fortë, 16-vjeçari ka ndërruar jetë në vend, ndërsa dy të miturit e tjerë janë transportuar me urgjencë në spital.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej adoleshentëve dyshohet se ka marrë çelësat e automjetit të nënës së tij dhe më pas ka dalë për xhiro së bashku me dy shokët.
Në rrethana ende të paqarta, dyshohet se mjeti me të cilin lëviznin ata ka qenë me shpejtësi mbi normat e lejuara, dhe si për pasojë ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur me pemën.