Zbardhen dëshmitë e familjarëve të Keli Hoxhës, 42 vjeç, i cili humbi jetën tragjikisht pas një konflikti absurd në Kalanë e Beratit.
Të afërmit e viktimës kanë deklaruar në polici se gjithçka nisi vetëm sepse Keli kishte prekur kalin me dorë, teksa ndodhej me familjen për turizëm në zonë.
“Vetëm e preku kalin, s’ka bërë asgjë tjetër. I tha autorit ‘s’ka asgjë të keqe’, por ai e sulmoi papritur me thikë”, – kanë rrëfyer familjarët.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 15:10, pas një debati për motive të dobëta, ku 63-vjeçari Kristo Mema (i njohur edhe si Kontandin Hoxha) goditi me mjet prerës Keli Hoxhën, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën në spital.
Autori u lokalizua dhe u arrestua menjëherë në lagjen Kala, pranë Tabjes, nga shërbimet e Policisë së Beratit në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ndezur reagime për shkak të motivit absurd që i mori jetën një 42-vjeçari në sy të familjes së tij.