
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur dy mjekë gjinekologë të maternitetit “Koço Gliozheni”, të cilët akuzohen për “neglizhencë në trajtimin mjekësor”, pas një rasti tragjik që përfundoi me humbjen e jetës së një foshnje të sapolindur.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë treguar se mosveprimi në kohë i mjekëve ka qenë shkaku kryesor i pasojës fatale. Ekspertiza mjeko-ligjore konkludon se dëmtimet që çuan në shok traumatik dhe hemorragjik tek foshnja nuk ishin pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë e mungesës së ndërhyrjes së menjëhershme gjatë procesit të lindjes.
Hetimi ka zbuluar se, ndonëse lindja ishte planifikuar me seksio cezarian (operacion), mjekët kanë vendosur të vijojnë me lindje natyrale, duke përdorur forcepsin në fazën e fundit të lindjes — një veprim që, sipas ekspertëve, shkaktoi dëmtimet fatale tek e porsalindura.
📄 Deklarata zyrtare e Prokurorisë së Tiranës:
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe merr të pandehur dy mjekë gjinekologë të Maternitetit ‘Koço Gliozheni’, shtetasit E.V. dhe A.H., për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të realizuara mbi procedimin penal nr. 6713, të regjistruar pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A.Z., pasi humbi foshnjën e saj gjatë procesit të lindjes, dhe nga aktet e ekspertimit, doli qartë se vdekja e foshnjës erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira, kur lindja natyrale nuk përparon ose kur është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik të foshnjës nuk janë pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë direkte e mungesës së ndërhyrjes në kohë, që do të kishte shmangur përdorimin e forcepsit nëse lindja do të ishte bërë me seksio cezarian, siç ishte planifikuar paraprakisht.
Mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes në procesin e shtatzënisë si dhe mjekut roje të gatshëm, në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale, ka qenë faktori vendimtar që çoi në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur.”
Çështja tashmë është dërguar për gjykim, ndërsa të pandehurit E.V. dhe A.H. do të përballen me drejtësinë për akuzën e “Neglizhencës në trajtimin mjekësor”, të parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.


