
Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e sotme qytetin e Maliqit. Rreth orës 13:30, një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një banesë familjare, duke shkaktuar vdekjen tragjike të Merjeme Azisllarit, 40 vjeçe, dhe djalit të saj Luka Azisllari, 14 vjeç.
Flakët janë shkaktuar nga soba me dru që familja përdorte për ngrohje, ndërsa zjarri është përhapur me shpejtësi në të gjithë shtëpinë. Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin nëna me dy fëmijët e saj. Për shkak të tymit të dendur dhe flakëve, nëna dhe djali nuk arritën të dalin në kohë, duke humbur jetën nga asfiksia.
Forcat zjarrfikëse dhe ambulanca mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur shpëtimin e vajzës 6-vjeçare, e cila u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës ndërsq së fundmi mësohet se është nisur drejt Tiranës. Ajo ka pësuar djegie të rënda në disa pjesë të trupit dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja ka tronditur banorët e Maliqit, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të tragjedisë.


