
Një grua që u vra me armë në një parking në Brampton, të martën pasdite, është identifikuar nga familja e saj si 29-vjeçarja Savannah Kulla.
Të afërmit kanë konfirmuar se Kulla ishte nënë e katër fëmijëve të vegjël: tre djem dhe një vajze njëvjeçare, e cila ishte në qendër të një Amber Alert të martën, pasi dyshohet se ishte marrë nga babai i saj, 38-vjeçari Anthony Deschepper, pas vrasjes.
Sipas policisë, foshnja u gjet e sigurt dhe pa lëndime pak kohë më vonë, pasi ishte lënë tek të afërmit në rajonin e Niagara-s.
Deschepper, i cili është identifikuar gjithashtu si i dyshuari kryesor në vrasjen e Kullës, ka ndërruar jetë pas një përplasjeje me policinë në një stacion karburanti në Niagara Falls, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, kanë konfirmuar autoritetet.
Sipas Njësisë së Hetimeve Speciale të provincës, një grua tjetër që po drejtonte automjetin ku ndodhej Deschepper në atë moment, është arrestuar dhe priten akuza ndaj saj.
Ngjarja ndodhi pranë një qendre tregtare, në zonën midis Queen Street East dhe Airport Road.

Policia e Peel e ka përshkruar incidentin si një vrasje të lidhur me dhunën në marrëdhënie intime.
Sipas të dhënave të policisë, Savannah Kulla është viktima e dhjetë e vrasjeve në rajonin e Peel gjatë këtij viti.





