Një ngjarje e rëndë me dy viktima ka tronditur sot fshatin Gullbovc të komunës së Malishevës në Kosovë. Dy vëllezër janë qëlluar për vdekje para shtëpisë së tyre nga dhëndri i familjes, në një moment kur në banesë ndodheshin të afërm e fqinjë që kishin shkuar për ngushëllim pas ndarjes nga jeta të babait të tyre.
Sipas raportimeve të para, i dyshuari është identifikuar si Astrit Isufi, banues në fshatin Sankovc, bashkëshort i motrës së viktimave. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se gruaja e autorit kishte shkuar në shtëpinë e familjes së saj për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait.
Mësohet se gjatë kohës që njerëzit po mbërrinin për ngushëllim, Isufi ka ardhur fillimisht për të marrë bashkëshorten e tij, por pas disa minutash është kthyer përsëri dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve që qëndronin para derës së shtëpisë.
Të shtënat kanë shkaktuar panik te të pranishmit, ndërsa të dy viktimat kanë ndërruar jetë në vend për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Pas ngjarjes, autori është larguar me shpejtësi nga vendi, ndërsa forcat e policisë së Kosovës kanë rrethuar zonën dhe janë vënë në kërkim të tij. Njësitë hetimore dhe Prokuroria e Shtetit ndodhen në vendngjarje për të mbledhur provat dhe për të zbardhur motivet e plota të vrasjes.
Burime brenda hetimit dyshojnë se ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e konflikteve të mëparshme familjare mes palëve, të cilat janë përshkallëzuar pas vdekjes së kryefamiljarit.
Policia ka konfirmuar për mediat lokale se po zhvillohen veprime intensive për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.