
Mozzik
Mijëra qytetarë në sheshin “Skënderbej” për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së, ndërsa reperi Mozzik publikon disa foto nga tubimi
Sot pasdite, sheshi “Skënderbej” në Tiranë u mbush me qindra qytetarë për protestën në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së të paraburgosur në Hagë. Tubimi, me moton “Liria ka emër”, u organizua nga veteranët e UÇK-së dhe pritet të flasin figura të njohura si ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga Kosova, drejt Tiranës erdhën edhe Përparim Rama, kryebashkiaku i Prishtinës, dhe Lutfi Haziri nga LDK. Nga politika shqiptare, protestës i bashkuan deputetët e PS, ndërsa PD refuzoi pjesëmarrjen. I vetmi nga rreshti i PD që mori pjesë ishte Fatmir Mediu.
Në rrjetet sociale, reperi Mozzik ndau disa foto nga sheshi, duke treguar atmosferën dhe pjesëmarrjen masive të qytetarëve. Postimet e tij kanë tërhequr vëmendje të madhe dhe kanë bërë që shumë fansa të komentojnë mbi përkrahjen ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Protesta vjen në një kohë kur në Hagë po zhvillohet procesi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
Qarkullimi është bllokuar për dy orë tek Bulevardi i Ri, për të mundësuar parkimin e mjeteve të protestuesve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit.




