Detaje tronditëse kanë dalë në pah së fundmi në lidhje me dhunimin e nxënësit të fillores së shkollës “Pavarësia” në Kosovë, i cili u godit nga mësuesi i tij.
Një video e publikuar nga media vendase “Kallxo.com” tregon momentin kur drejtori i shkollës, Halil Brahaj, dhunon të njëjtin nxënës, i cili vetëm para pak minutash u godit me grushte nga mësuesi i tij brenda një klase.
Situata e përshkallëzuar mes nxënësit dhe mësuesit, e ndodhur më 9 shkurt, u pasua me një tjetër dhunë ndaj nxënësit.
Nga ana e tij, drejtori i shkollës ka mohuar të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësit. Mirëpo ngjarja e plotë u zbardh pas dëshmisë së nxënssit i cili para hetuesve deklaroi se në të njëjtën ditë është goditur dhe nga drejtori.
Pamjet e siguruara nga burimet tregojnë momentin kur drejtori i shkollës, Habilaj ecën në drejtim të tualetit të nxënësve. E pas pak ai shfaqet duke zbritur shkallët e shkollës së bashku me nxënësin, kur papritmas drejtori godet nxënësin disa herë.
Sakaq mësohet se edhe pse dhuna që ai ushtroi ndaj nxënësit u bë publike në media, Brahaj akoma nuk është pezulluar nga detyra e tij.