Gazeta e njohur britanike The Sun ka publikuar një artikull të veçantë për Shqipërinë, duke treguar historinë e dy nënave nga Anglia që arritën të vizitojnë Tiranën për vetëm një ditë – dhe gjithçka u kushtoi më pak se një dalje në teatër!
Stacey Baugh (34 vjeçe) dhe Claire Dukes (41 vjeçe) u nisën nga Chesterfield në orën 1 të mëngjesit, morën fluturimin e orës 5:55 nga Stansted dhe mbërritën në Tiranë në 9:50 paradite.
Pasi mbërritën, ato shijuan një tur privat për 60 paund secila, duke vizituar Liqenin e Bovillës, Malin e Gamtit, Malin e Dajtit dhe një tour të qytetit në mbrëmje.

Por aventura nuk ndaloi këtu! Dyshja provoi edhe një zip-line mbi malet shqiptare për 30 euro, ndërsa ditën e mbyllën me ushqim tradicional – qofte, trileçe, sallatë Cezar dhe tavë – në majë të Malit të Dajtit, për më pak se 40 euro.
Në total, udhëtimi i tyre kushtoi rreth 200 paund secilës, shumë më lirë se një fundjavë tipike në Londër.
“Krahasuar me një dalje në teatër, Shqipëria ishte një përvojë e pabesueshme”, – tha Stacey për The Sun.
Dy nënat, që janë të njohura për “udhëtime ekstreme njëditore”, treguan se kanë zgjedhur këtë mënyrë për të udhëtuar pa u larguar gjatë nga fëmijët. Ato tashmë kanë planifikuar udhëtime të reja në Kopenhagë, Poloni dhe Luksemburg për vitin 2026.
Ky artikull i The Sun është një tjetër promovim fantastik për turizmin shqiptar, që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e udhëtarëve britanikë falë natyrës mahnitëse, çmimeve të ulëta dhe mikpritjes shqiptare./ The Sun