
Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur në qytetin Osan të Koresë së Jugut, ku një grua shkaktoi zjarr në ndërtesën e saj të apartamenteve duke u përpjekur të vriste një buburrec me një flakëhedhës të improvizuar. Zjarri tragjik rezultoi me vdekjen e një fqinje dhe plagosjen e disa banorëve të tjerë.
Sipas raportimeve nga BBC, duke cituar mediat lokale, autoritetet koreane kanë njoftuar se do të lëshojnë urdhër arresti ndaj gruas. Ajo i ka thënë policisë se kishte përdorur më parë një metodë të ngjashme për të vrarë buburrecat, duke përdorur një çakmak dhe sprej të ndezshëm. Por këtë herë, situata doli jashtë kontrollit dhe flakët përfshinë apartamentin e saj.
Viktima e zjarrit ishte një shtetase kineze rreth 30 vjeç, e cila jetonte në katin e pestë me burrin dhe foshnjën e porsalindur. Kur shpërtheu zjarri, çifti hapi dritaren dhe kërkoi ndihmë, duke ia dorëzuar foshnjën një fqinji në apartamentin ngjitur përpara se të përpiqeshin të iknin. Burri arriti të shpëtonte, por gruaja ra në boshllëk dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në spital.
Policia në Osan ka njoftuar se gruaja që shkaktoi zjarrin mund të përballet me akuza për zjarrvënie të qëllimshme dhe vrasje të paqëllimshme. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, pasi ndërtesa ka 32 apartamente dhe disa dyqane në katin përdhes, ndërsa tetë banorë të tjerë kanë pësuar probleme frymëmarrjeje nga tymi.


