Kaos dhe tensione në Kuvend gjatë seancës së sotme, ku deputetë të opozitës pushtuan vendet e kabinetit qeverisës, duke e kthyer sallën plenare në një arenë përplasjesh politike.
Para nisjes së seancës, deputetët e opozitës hynë në sallë dhe zunë vendet e kabinetit qeverisës, duke “zaptuar” karriget e kabinetit qeverisës.
Përpjekjet e shërbimit të sigurisë për t’i larguar u shoqëruan me përplasje fizike.
Opozita synonte të bllokonte procesin e betimit të Avokatit të Popullit, i cili ishte zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës. Me nisjen e seancës plenare, tensionet u përshkallëzuan, ku në sallë u hodhën flakadanë, shishe me ujë dhe materiale të tjera, ndërsa seanca u shoqërua me zhurmë dhe kaos.
Pavarësisht situatës, betimi u krye mes protestave dhe thirrjeve nga radhët e opozitës. Më pas, përfaqësuesi i zgjedhur u largua nga salla në një atmosferë të ngarkuar politike.
Gjatë seancës, opozitarët në kor kërkuan në sallë edhe zv.kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon autorizim për arrestimin.
Për shkak të tensioneve, një deputet u përjashtua nga seanca, ndërsa drejtuesi i seancës shpalli pushim të përkohshëm për të rikthyer rendin.
Mazhoranca vijoi më pas drejtpërdrejt me procesin e votimit, ndërsa disa deputetë të opozitës vijuan të qëndrojnë në karriget e anëtarëve të qeverisë, duke e mbajtur të tensionuar atmosferën deri në përfundim të seancës.