Pas vrasjes së burrit, Afërdita, atëherë adoleshente dhe nënë e një foshnjeje që ende nuk kishte mbushur vitin, përballet me një tjetër dramë në jetën e saj, atë të kërcënimit për t’i marrë fëmijën. Këtë ultimatum nuses së re ia bënë vjehrri dhe vjehrra, duke shkaktuar, krahas trazimit shpirtëror, edhe një konflikt familjar.
Vjehrri i Afërditës asokohe thërret krushkun dhe e paralajmëron për atë që do të ndodhte, që fëmija do të qëndronte me të. Pas këtyre përplasjeve që shkuan deri në konfrontim mes palëve, Afërdita vendos të largohet nga shtëpia e vjehrrit, gjithmonë me kokën pas dhe me shpresën se shumë shpejt do të kthehej aty për ta marrë fëmijën.
Por shpejt kupton se ka gabuar dhe se dy të moshuarit do t’ia vështirësonin gjithnjë e më shumë rrugën për t’u bashkuar me djalin. Kështu, çdo ditë që kalonte, përplasjet shtoheshin. Nëna e re e sheh thuajse të pamundur vazhdimin e komunikimit me ata që i mbanin peng djalin, prandaj vendos ta ndjekë çështjen në mënyrë ligjore.
Por këtu gjërat, në vend që të merrnin drejtimin që pritej, vështirësohen edhe më shumë për gruan e re, e cila e sheh gjithnjë e më larg bashkimin me djalin. Pavarësisht kërcënimeve, Afërdita nuk bën asnjë hap pas; madje përpiqet t’i japë fund kësaj padrejtësie duke kërkuar ndihmën e përmbarimit dhe të policisë.
Jo njëherë, as dy, as tre, por plot 26 herë pa rezultat. Pavarësisht se është lodhur, sa nga këmbëngulja e dy të moshuarve që mbajnë peng nipin, aq edhe nga indiferenca e institucioneve, kjo nënë 25-vjeçare vazhdon të luftojë çdo ditë për të vënë drejtësinë në vend. Por kjo betejë e saj nuk ia ndryshon mendimin Hamitit dhe Evladijes, të cilët vazhdojnë t’i mohojnë të drejtën qoftë edhe për t’i dhënë një përqafim djalit.
Siç ndodhi edhe atë ditë të 31 korrikut 2025. Dhuna e asaj dite ndaj Afërditës është e dokumentuar edhe nga këto foto, ku shihen qartë shenjat në trupin e saj, vizita e saj në urgjencën e spitalit të Burrelit, por edhe nga ky dokument i policisë ku dhuna ndaj nënës klasifikohet si plagosje e lehtë me dashje nga shtetasja Evladije Hoxha, ish-vjehrra e saj.
Por kishte edhe nga ata që “nuk e kishin parë” këtë dhunë. Siç ishte inspektorja e policisë.
E gjithë kjo përplasje, që ka çuar deri në dhunë ndaj nënës, e ka një shkaktar, i cili ndodhet gjithmonë prezent sa herë ajo i afrohet djalit, gjyshi i të voglit. Kanë kaluar muaj nga ai takim që u mbyll në mënyrën më të dhunshme kohë e mjaftueshme që Hamit Hoxha të lëvizte të gjithë gurët për të penguar zbatimin e ligjit. Duke arritur deri aty sa të përdorte fëmijën 7-vjeçar si kavie, sa nga një klinikë mjekësore te tjetra. Vetëm për të arritur qëllimin e tij, ndarjen e djalit nga nëna.
Deri më tani, çdo përpjekje e Afërditës ka përfunduar pa rezultat, me ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën që bëhen pengesë e zbatimit të ligjit dhe kthimit të djalit te nëna, e cila prej vitesh endet dyerve të institucioneve për të vënë drejtësinë në vend dhe për të marrë djalin në krahët e saj, ta rrisë e t’i japë dashurinë e munguar.
Dhe takimi i mundësuar në shkollë përfundoi ashtu si edhe takimet e tjera, me Hamitin dhe Evladijen që bëhen pengesë dhe frustrojnë djalin, duke e shtyrë t’i kundërvihet nënës, të cilën nuk ka patur asnjëherë mundësi ta ketë afër. Por beteja e Afërditës për të qenë me djalin vazhdon po ashtu edhe e jona, sepse tashmë ajo nuk do të jetë vetëm./piranjatnews