Komuniteti i Zakynthos është tronditur nga vdekja tragjike e një fëmije 2-vjeçar me origjinë shqiptare në fshatin Agios Leontas, pasi u sulmua për vdekje nga qeni i familjes, një pitbull i adoptuar vetëm pak javë më parë.
Sipas mediave greke, qeni, i cili më herët jetonte si endacak dhe nuk kishte pasur raportime për sjellje agresive, është dërguar në një strehë me urdhër të prokurorit. Kryebashkiaku i Zakynthos, Giorgos Stasinopoulos, tha se nga dita e nesërme kafsha do të vendoset nën monitorimin e një veterineri, ndërsa një komision pesë anëtarësh nga Patra pritet të vendosë nëse pitbulli do të ekzekutohet apo do të strehohet.
Autoritetet ende nuk kanë arritur të përcaktojnë me saktësi rrethanat e incidentit. “Askush nuk di ende se çfarë ka ndodhur. Fëmija u gjet i vdekur”, deklaroi Stasinopoulos.
Ngjarja ndodhi në oborrin e banesës, ku fëmija ndodhej vetëm me qenin. Pitbulli e sulmoi me dhunë, duke i shkaktuar plagë të rënda në të gjithë trupin, veçanërisht në qafë. Babai u përpoq ta shpëtonte djalin nga goja e kafshës, por pa rezultat.