
Një ndërprerje e madhe në Amazon Web Services (AWS) ka shkaktuar probleme serioze në disa prej aplikacioneve dhe faqeve më të përdorura në botë, përfshirë Snapchat, Roblox, Fortnite, Duolingo dhe Canva.
Sipas faqes së monitorimit DownDetector, përdorues nga vende të ndryshme raportojnë se aplikacionet janë jashtë funksioni, nuk dërgojnë mesazhe ose nuk hapen fare. Shkaku lidhet me një defekt në sistemin e AWS, një nga shërbimet më të mëdha të cloud-it global që mbështet shumë platforma online.
Në një deklaratë zyrtare, Amazon njoftoi se po përballet me “rritje të shkallës së gabimeve” dhe “vonesa në disa prej shërbimeve AWS”, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikthimin e funksionimit normal.
Ndërkohë, gjatë kësaj ndërprerjeje, në rrjete sociale po qarkullon një mesazh mashtrues (hoax) që pretendohet si njoftim zyrtar nga Snapchat. Mesazhi i rremë u kërkon përdoruesve ta shpërndajnë te 20 persona për të shmangur “pezullimin ose hakimin e llogarisë” brenda dy orësh.
Ekspertët theksojnë se Snapchat nuk ka dërguar asnjë paralajmërim të tillë, dhe këto mesazhe janë të rreme, të krijuara për të përhapur panik dhe për të mbledhur të dhëna personale nga përdoruesit.


