Radiotelevizioni Shqiptar vijon të përballet me një stuhi akuzash dhe kritika të shumta publike. Pas denoncimit publik të gazetares Kozeta Kurti për projekte të papaguara prej muajsh dhe konfirmimit nga moderatori Florian Agalliu se edhe ekipi i tij është në pritje të shpërblimeve, në dritë kanë dalë edhe dokumente që tregojnë se si është abuzuar me fondet e RTSH-s edhe me kostumet e kërkuara për drejtuesit e emisioneve.
Sipas Albanian Post, fondet e RTSH-së janë përdorur për kostume që arrijnë deri në 1 mijë euro, këmisha prej 250 eurosh dhe shami xhaketash deri në 50 euro copa. Porositë, të kryera pranë stilistit Altin Mici, shfaqen në tabela të brendshme, por pa një kontratë të mirëfilltë që të justifikojë faturimet.


Menjëherë ka reaguar edhe moderatori Florian Agalliu i cili hedh poshtë këto pretendime duke publikuar faktet se veshjet e tij në emision kanë qenë të tijat dhe se “garderoba e artë e RTSH-së” ekziston vetëm në fatura.