Screenshot
Disa ditë pas alarmit se qumështi për fëmijë i prodhuar nga Nestlé rezultoi i kontaminuar me toksinën cereulide, Mbretëria e Bashkuar foli me shifra zyrtare.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se 36 foshnja u sëmurën pasi konsumuan formulën e kontaminuar, ndërsa në Francë ka nisur hetimi për humbjen e jetës së dy foshnjave.
I njëjti produkt, i importuar nga Rossmann & Lala, është tregtuar edhe në Shqipëri, konkretisht në rrjetin e dyqaneve të këtij subjekti.
Sipas burimeve zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sasia totale e qumështit të importuar është 1,878 copë, nga të cilat 462 copë janë rieksportuar në Republikën e Kosovës. Në Shqipëri rezulton se janë bllokuar 836 kuti me qumësht .
Ndërsa sasia e qumështit të kontaminuar e shitur është 580 kuti, secila me peshë 800 gram.
Ky alarm nga Bashkimi Evropian zbuloi një problematikë në subjektin Rossmann & Lala në Shqipëri.
Pas kontrolleve të kryera, inspektorët e AKU-së e kanë gjobitur subjektin për dy shkelje: mangësi në sistemin e gjurmueshmërisë dhe mospërmbushje të përgjegjësive të Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU).
Mungesa e gjurmueshmërisë cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe, në këtë rast, bëhet fjalë për një produkt delikat si ushqimi për foshnja.
E thënë më thjesht, nëse një produkt rezulton i pasigurt (p.sh. i kontaminuar apo i skaduar), autoritetet nuk mund ta tërheqin shpejt nga tregu, sepse:
• Nuk dihet në cilat supermarkete ka përfunduar.
• Nuk dihet sa njësi janë shitur.
• Nuk mund të bëhet tërheqje e saktë dhe e menjëhershme.
Për shkak të këtyre shkeljeve, subjekti Rossmann & Lala është gjobitur nga AKU./ OraNews