
Adnan Yizdizoglu dhe tre punonjës të tjerë të klinikës në Don Bosko nën hetim për krime kundër shëndetit dhe evazion fiskal
Një operacion i Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale ka zbuluar përdorimin e produkteve të skaduara në klinikën dentare “Dental Turk”, duke çuar në arrestimin e pronarit turk, Adnan Yizdizoglu, 59 vjeç, dhe hetimin e tre punonjësve të klinikës.
Operacioni, i koduar “Dentistry”, u finalizua në ambientet e klinikës në zonën “Don Bosko” të Tiranës, ku u sekuestruan 300 shishe me produkte dentare (shumica të skaduara), pa fatura zhdoganimi, me vlerë rreth 100,000 euro, si dhe mandate të pafiskalizuara.
Tre punonjës të tjerë u vunë nën hetim: koordinatorja B. K., 35 vjeçe, dhe dy laborantët L. S., 21 vjeç dhe A. A., 42 vjeç. Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar shtetit dhe shmangien e detyrimeve tatimore.
Policia njofton se ky operacion erdhi pas informacioneve operative për krime ekonomike dhe kundër shëndetit në këtë klinikë, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë
“Tiranë/Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizon operacionin policor të koduar “Dentistry”.
Zbulohet se në një klinikë dentare në “Don Bosko”, kryhej evazion fiskal dhe shërbehej me produkte të skaduara.
Sekuestrohen 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), pa fatura zhdoganimi, me vlerë rreth 100 000 euro, si dhe mandate të pafiskalizuara.
Arrestohet administratori i klinikës (shtetas turk).
Vihen në hetim koordinatorja e subjektit dhe 2 laborantë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në një subjekt (klinikë stomatologjike) në zonën “Don Bosko”, kryheshin krime ekonomike dhe krime kundër shëndetit/jetës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizuan operacionin “Dentistry”.
Gjatë ndërhyrjes në ambientet e klinikës, u kap dhe u arrestua administratori i subjektit, shtetasi turk, A. Y., 59 vjeç.
Gjithashtu, u kapën në flagrancë, 3 punonjës të klinikës, konkretisht koordinatorja, shtetasja B. K., 35 vjeçe, si dhe 2 laborantët, shtetasit L. S., 21 vjeçe dhe A. A., 42 vjeç, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Nga kontrolli në ambientet e klinikës u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), me vlerë rreth 100 000 euro, për të cilat nuk disponoheshin fatura zhdoganimi, si dhe mandate të pafiskalizuara. Vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmin ekonomik që i është caktuar shtetit, si pasojë e shmangies së detyrimeve tatimore nga ky subjekt.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


