Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Tameside Hospital në Greater Manchester, ku një mjek britanik ka lënë pacientin nën anestezi në sallën e operacionit për t’u larguar dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me një infermiere.
Çfarë ndodhi në sallën e operacionit
Mjeku Suhail Anjum, 44 vjeç, anestezist me eksperiencë shumëvjeçare, është akuzuar se më 16 shtator 2023 ka braktisur pacientin gjatë një procedure të planifikuar kirurgjikale. Ai i kishte kërkuar një infermiereje të “sorvejlonte” pacientin, ndërsa vetë u largua për rreth tetë minuta. Në atë kohë, një koleg e ka gjetur në një “pozicion komprometues” me një tjetër infermiere, të identifikuar në proces si “Nurse C”.
Pavarësisht se pacienti nuk ka pësuar pasoja klinike, autoritetet shëndetësore e kanë cilësuar veprimin si shumë të rrezikshëm dhe të papranueshëm, duke theksuar se lënie e sallës së operacionit në ato kushte cenon rëndë sigurinë e pacientit dhe besimin ndaj sistemit shëndetësor.
Procesi disiplinor dhe akuzat
Rasti është duke u shqyrtuar nga Medical Practitioners Tribunal Service (MPTS), që ka hapur gjyqin më 11 shtator dhe do ta mbyllë më 17 shtator 2025. Anjum rrezikon masa të rënda disiplinore, që shkojnë nga një paralajmërim deri tek pezullimi ose përjashtimi përfundimtar nga profesioni mjekësor. Autoriteti kryesor, General Medical Council (GMC), e ka cilësuar ngjarjen si “sjellje të papranueshme dhe joprofesionale” dhe ka kërkuar ndëshkim shembullor.
Mbrojtja e mjekut: “Ishe nën stres”
Vetë Anjum i ka pranuar akuzat, duke shpjeguar se në atë periudhë ndodhej nën presion të madh psikologjik. Ai tregoi se bashkëshortja e tij kishte sjellë në jetë një vajzë në mënyrë të parakohshme, me komplikacione serioze, dhe se ndodhej i vetëm në Britani pa mbështetje familjare.
“Nuk po përpiqem ta justifikoj sjelljen time – ishte një gabim gjykimi në një moment stresi të madh emocional. Shpreh keqardhje të thellë dhe garantoj se nuk do të ndodhë më”, është shprehur ai në sallën e gjyqit.