
Prania e figurave publike në ceremoninë mortore të Eldion Kelmendit, vëllait të Gjestit, ka sjellë jo vetëm emocione të forta, por edhe një valë reagimesh në rrjetet sociale. Shumë përdorues kanë shprehur indinjatën e tyre për mënyrën se si mediat kanë zgjedhur të raportojnë për këtë ngjarje tragjike, duke e kthyer dhimbjen e familjes në një spektakël publik.
Një moment që ka nxitur debat ndodhi gjatë emisionit “Weekend” në Klan Kosova. Moderatorja e programit, gjatë një lidhjeje telefonike me ish-banorin e “Big Brother VIP Kosova”, Burimajt, i drejtoi një pyetje që shumëkush e konsideroi të papërshtatshme dhe të turpshme.
Duke iu referuar pamjeve nga ceremonia mortore, ajo u ndal te raporti mes Gjestit dhe ish-partneres së tij, Egli Tako, e cila kishte udhëtuar nga Shqipëria për të marrë pjesë në varrim. Moderatorja pyeti:
“Me aq sa pamë, ishte një përqafim i ftohtë ai mes Eglit dhe Gjestit, pavarësisht se ajo kishte marrë rrugën nga Shqipëria për ta ngushëlluar.”
Kjo pyetje ka ngjallur reagime të forta në rrjet, ku shumë ndjekës e kanë cilësuar si mungesë ndjeshmërie dhe respekti ndaj një personi që sapo ka humbur vëllain.
Sipas tyre, momentet e dhimbjes nuk mund të analizohen si skena televizive apo marrëdhënie të showbiz-it, pasi përfshijnë ndjenja të vërteta dhe plagë të hapura.
Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për etikën në media dhe kufirin mes informimit dhe shfrytëzimit të emocioneve për klikime.
Publiku kërkon më shumë ndjeshmëri nga ekranet, sidomos në raste ku dhimbja duhet respektuar dhe jo komentuar.