Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare aktori Enver Petrovci. Lajmin e ka bërë të ditur një familjar i tij në një postim në rrjetet sociale. Enver Petrovci është një nga aktorët më të njohur dhe të dashur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Është një aktor dhe regjisor shqiptar. Fillimisht studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.
Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” me rolet e luajtura aty u bë i njohur në mbarë ish-Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës në ish Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, shqiptare dhe ndërkombëtare. Është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Pra, në vitin 1989 ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku dhe formohen kuadro të reja të aktorëve në Kosovë. Gjatë karrierës së tij, ai shkëlqeu si në dramat klasike ashtu edhe në rolet moderne, duke fituar respektin dhe admirimin e kolegëve, kritikëve dhe publikut.