Screenshot
Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik, pasi një vajzë e re ka humbur jetën në spital, ndërsa dyshohet se kishte konsumuar fostoksinë.
Viktima është 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj, e cila ndërroi jetë në QSUT një ditë më parë, pas komplikacioneve të rënda shëndetësore. Lidhur me këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim 25-vjeçarin Eraldo Fizi, i dyshuar për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Sipas dyshimeve të para të hetuesve, i riu mund të ketë ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij, çka dyshohet se e ka shtyrë 25-vjeçaren drejt aktit ekstrem. Hetimet paraprake sugjerojnë se e reja i ka dhënë fund jetës duke konsumuar fostoksinë.
Mësohet se Fizi dhe Nikollaj ishin martuar në qershor të vitit 2025, por marrëdhënia mes tyre nuk kishte zgjatur shumë. Për shkak të konflikteve të vazhdueshme, çifti ishte ndarë vetëm tre muaj pas martesës.
Familjarët e të ndjerës kanë deklaruar se në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar shenja dhune, duke ngritur dyshime të forta për trajtimin që ajo mund të ketë përjetuar gjatë marrëdhënies.
Ndërkohë, miq dhe të afërm të saj e përshkruajnë Xhuanën si një vajzë të ndjeshme, të dashur dhe me zemër të mirë. Ata hedhin poshtë zërat se martesa e saj ishte e lidhur me interesa materiale, duke theksuar se ajo ishte martuar me dashurinë e parë të gjimnazit, duke ndjekur zemrën.
Varrimi i 25-vjeçares do të zhvillohet ditën e enjte, më 12 mars, në orën 13:00, në varrezat e Shëngjinit.